“Atë e gjeta në mesin tuaj”: Presidenti i Gjilanit takohet me futbollistët, u ofron mbështetje maksimale

Drejtuesit e rinj të Gjilanit janë takuar sot me futbollistët dhe shtabin teknik para fillimit të seancës së pasdites stërvitore.

Sipas njoftimit në Facebook, presidenti Afrim Veliu i ka ofruar mbështetje maksimale në rrugëtimin e ri që është nisur, shkruan Futbollikosovar.net

“Motivin nuk e solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj. Në sytë tuaj shoh shumë vullnet dhe dëshirë për ta shfaqur më të mirën të cilën dini ta bëni. Së bashku me aksionarët e tjerë dhe bashkëpunëtorët e mi do të përkujdesemi që klubi të orientohet në rrugën e duhur, prandaj dua nga ju që të impenjoheni maksimalisht në çdo seancë stërvitore, në çdo ndeshje dhe çdo sfidë me të cilën do të ballafaqohemi. Ju falenderoj që keni qëndruar besnik klubit dhe ju pres në vazhdim që së bashku ta ngrisim klubin në nivelet më të larta”, ka thënë Veliu para futbollistëve.

Lexo edhe:  Priten ndryshime te SC Gjilani, e thotë Florim Zuka

Tutje, thuhet se aksionarët e tjerë të klubit, Fatlum Pireva, Qëndrim Demiri, Valmir Emini dhe Shaban Bajrami ofruan garancion dhe stabilitet në organizimin e klubit.

“Ata theksuan gjithashtu se presin nga futbollistët të japin gjithçka nga vetja e tyre për t’i realizuar objektivat e klubit, ndërkohë që mbështetja e drejtuesve nuk do të mungojë aspak”, shkruan SC Gjilani.

Kujtojmë se zyrtarizimi i aksionarëve të rinjë te “Skifterat” është bërë sot në mëngjes.

Largimi i ish-presidentit, Florim Zuka, kishte shkaktuar mjaft shumë telashe te Gjilani. Zuka qëndroi për më shumë se pesë vite në krye të skuadrës, duke krijuar një bosht stabil në ekip.