“Do të jetë e kryer për 1-2 ditë”: Paralajmërohet transferimi i Rrahmanit te Rapid Bukureshti

Albion Rrahmani te Rapid Bukureshti është vetëm çështje kohe. Gjithçka pritet të finalizohet brenda kësaj jave sipas medieve rumune, të cilat citojnë njërin prej aksionarëve të klubit.

Arkat e klubit kosovar pritet të pasurohen mjaft shumë pas shitjes së golashënuesit më të mirë të Superligës së Kosovës për sezonin e kaluar. Kështu, 22-vjeçari është gati t’i përgatitë valixhet dhe të marrë rrugë për në kryeqytetin rumun.

Victor Angelescu, njëri prej aksionarëve të klubit, ka thënë se gjithçka do të kryhet brenda 1-2 ditësh.

“E kemi një transferim që do ta kryejmë për 1-2 ditë. Jemi marrë vesh. Na ka mbetur vetëm ta nënshkruajmë kontratën. Bëhet fjalë për një lojtar të huaj”, tha Angelescu në programin “Footbal Club” në Digi Sport 1.

Lexo edhe:  "Lewandowski" që nuk e arsyeton nofkën: 2 gola në 8 ndeshje të Superligës

Për gazetën rumune GSP nuk ka mëdyshje se fjalën e kishte për sulmuesin kosovar, Rrahmani. Kësisoj, pas disa përvojave të kaluara në klube të ndryshme si Minatori, Bashkimi, Malisheva dhe së fundmi Ballkani, ai do ta kompletojë transferimin e parë të tij jashtë vendit. Shifra që klubi therandas pritet të arkëtojë është e konsiderueshme, për të qenë kështu shitja në vlerën më të madhe që bëhet nga kampionati kosovar. Po flasim për hiç më pak se për një shumë që sillet prej 600.000 deri në 700.000 euro nëse iu referohemi shtypit rumun.