E dominuar në duele, por superiore në driblime: Statistikat e detajuara të Dritës kundër Plzen

Drita mbrëmë bëri paraqitje pozitive kundër Plzenit, pavarësisht humbjes 2-1 në frymën e fundit, që i kushtoi me eliminim në rrethin e dytë kualifikues të Conference League. Futbollikosovar.net në vazhdim jua sjell statistikat e detajuara të ndeshjes.

Mijëra të pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” ishin në ethe deri në minutën e 23’ të shtesës së ndeshjes. Paraqitja për mbamendje dhe angazhimi luftarak i lojtarëve të Dritës, bëri gjithë publikun për vete.

Futbollikosovar.net ka siguruar raportin e plotë të ndeshjes, me të gjitha statistikat e zgjeruara. Duelet ishin ato që shkuan në të mirë të mysfirëve. Ata fituan 158 prej tyre, ndryshe nga 124 që fitoi Drita. Përgatitja më e mirë fizike, cilësia dhe fakti që në Republikën Çeke kampionatin vetëm se ka nisur, bënë dallimin në këtë pjesë.

Lexo edhe:  Për vend të parë dhe të tretë, sot dy super-sfida në Superligë

Lufta në ajër ishte në të mirë të çekëve. Ata fituan 44 prej dueleve të tilla, ndërsa Drita arriti t’i fitojë vetëm gjysmën e kësaj shifre: 22.

Në driblimet e suksesshme më mirë ishte skuadra kosovare. Ajo kompletoi 28 sosh, ndryshe nga kundërshtarët, që përkundër cilësisë dhe faktit që në letër ishin shumë më cilësorë, arritën t’i kompletonin 15 sosh.

Marrë parasysh faktin që Plzen pati qarkullim më të madh të topit, domosdoshmërisht në të mirë të saj shkuan edhe topat në 30 metërshin fundit. Bilanci ishte 62 me 114 në favorin e tyre.

Qasja sulmuese e Dritës ishte simetrike në të dy pjesët. Ajo bëri 0.28 aksione për minutë në pjesë të parë, kurse 0.29 në atë të dytën. Plzen ishte më kërcënuese në pjesë të parë, kur bëri 0.73 aksione sulmuese, ndryshe prej pjesës së dytë që bëri 0.32.

Lexo edhe:  A e keni menduar renditjen tabelare në Superligë vetëm për ndeshjet si vendas? Mësoni skuadrën e parë e atë të fundit