FFK reagon pas pretendimeve për kurdisje të ndeshjes KFF Mitrovica – EP Hajvalia

Pas rrëmujës së krijuar gjatë ditëve të kaluara, ka ardhur edhe reagimi i shtëpisë kosovare të futbollit.

FFK ka dalur me komunikatë zyrtare pasi u publikuan disa audoincizimeve në Gazeta Express gjatë ditës së djeshme, ku pretendohej se kishte pasur tentativë për kurdisjen e ndeshjes finale të Kupës së Kosovës në konkurrencën për vajza mes EP Hajvalisë dhe KFF Mitrovicës, shkruan Futbollikosovar.net.

Në një komunikatë të lëshuar për medie, FFK ka treguar se si ka vepruar me t’u njoftuar për gjëra të tilla që janë publikuar nga mediet kosovare.

Sipas saj, çështja është adresuar në organet kompentete, siç janë Komisionet që janë në ombrellën e FFK-së, të cilat po punojnë për mbledhjen e materialeve.

Njoftimi i plotë nga FFK:

Lexo edhe:  Ademi pritet në takim nga Rama, temë diskutimi projekti i stadiumit të ri

17 maj, 2023 – Federata e Futbollit e Kosovës së fundi është njoftuar nga mediat rreth pretendimeve për tentim kurdisjen e një ndeshje të mëhershme në futbollin e femrave, ndërmjet dy ekipeve KFF Mitrovica dhe KFF EP Hajvalia.

Përkundër faktit që asnjëherë zyrtarisht nuk kemi marrë asnjë njoftim apo ankesë lidhur me këtë çështje nga ndonjë klub, menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve nga mediat, ne kemi filluar me mbledhjen e të gjitha dëshmive rreth pretendimeve të këtij rasti.

Tashmë çështja është adresuar te organet dhe Komisionet përkatëse brenda Federatës, të cilat janë duke mbledhur informacionet dhe dokumentacionet e nevojshme lidhur me këtë rast, e të cilat do të shqyrtohen me përpikëri.

Gjithashtu, këtë rast e kemi adresuar edhe tek Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive për të proceduar më tutje.

Lexo edhe:  Caktohen të gjithë gjyqtarët e sfidave të çerekfinales të Kupës së Kosovës

FFK siguron që pretendimet dhe dyshimet që lidhen me këtë rast do të trajtohem me seriozitetin më të madh nga organet tona në aspektin disiplinor, ndërsa në aspektet e tjera do të merren organet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Federata e Futbollit të Kosovës do të vazhdojë të marrë masa të nevojshme për të garantuar sigurinë dhe integritetin e futbollit.

FFK mbetet e përkushtuar për të promovuar vlerat e ndershme dhe respektimin e garës “fair-play” në futboll dhe do t’i luftojë me të gjithë mekanizmat e saj veprimet e tilla që rrezikojnë integritetin e lojës së futbollit dhe imazhin e Kosovës.