Përveç penalltisë së humbur, Muriqi pati paraqitje të “zbehtë” kundër Granadës

Vedat Muriqi nuk e ka filluar në mënyrën më të mirë sezonin e ri në La Liga.

Ashtu si Muriqi, as Mallorca nuk po kalon momente të lakmueshme, shkruan Futbollikosovar.net.

Skuadra e udhëhequr nga trajneri Javier Aguirre u mposht sonte si mysafir i Granadës me rezultat 3-2. Kjo ishte humbja e dytë rresht, pas asaj kundër Villareal javën e kaluar.

Paraqitje të “zbehtë” pati edhe sulmuesi i Kombëtares së Kosovës. Ai dështoi nga pika e bardhë në pjesën e parë, atëherë kur rezultati ishte 1-0 në të mirë të vendasve.

Për Muriqin ishte penalltia e dytë e humbur brenda tri ndeshjeve. 29-vjeçari nuk ishte treguar i saktë nga 11-metërshi as kundër Las Palmas.

Lexo edhe:  Goli ndaj Villarealit, Marca i kushton shkrim të veçantë Vedat Muriqit

Por, vlen të ceket se “Pirati” kishte merita në golin e dytë, kur pas goditjes së tij me kokë, nga topi i kthyer shënoi mesfushori Samuel Costa.

Përgjatë gjithë sfidës, prizrenasi bëri 33 prekje të topit, 21 pasime (71% i saktë) dhe krijoi një mundësi të mirë.

Në duelet në ajër doli fitues në katër raste, nga shtatë tentativa. Kurse, në fushë nga pesë duele fitoi vetëm dy.

Për dallim nga sezoni i kaluar, tani nuk është i vetëm në fazën e sulmit.

Trajneri Javier Aguirre në tri javët e para ka vendosur të luajë me dy sulmues. Ndaj Las Palmas dhe Villareal, tandem me Muriqin ishte Amath Ndiaye, ndërsa sonte Abdon Prats.

Lexo edhe:  Pamje: Fantastik Muriqi - i shënon edhe Villarrealit

Mallorca në ndeshjen e radhës do të përballet me Athletic Bilbaon. Ky takim do të zhvillohet të dielën e ardhshme me fillim nga ora 16:15.