Reagon EP Hajvalia: Nuk kemi bërë kurdisje ndeshjesh, do të bëjmë padi për shpifje

Skuadra e EP Hajvalisë në konkurrencën e vajzave i ka quajtur shpifje aludimet e sotme të KFF Mitrovicës duke i akuzuar ata për dallavere.

Afrimi i finales ka ndezur klimën në të dy skuadrat. KFF Mitrovica sot papritmas përmes një shkrimi publik akuzoi kundërshtaren e tyre për dallavere dhe që është skuadër “e fortë” jashtë fushës, shkruan Futbollikosovar.net.

Pas disa orësh erdhi edhe reagimi i skuadrës nga periferia e kryeqytetit. EP Hajvalia mohoi akuzat e bëra nga mitrovicasit duke paralajmëruar kështu edhe një ngritje padie për ta.

Finalja e Kupës së Kosovës mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet ditën e mërkurë (17 mars) prej orës 17:00.

Komunikata e EP Hajvalisë:

KFF EP Hajvalia mohon pretendimin për kurdisje të ndeshjeve.

Lexo edhe:  FFK reagon pas pretendimeve për kurdisje të ndeshjes KFF Mitrovica - EP Hajvalia

Kjo veprim nga ana e skuadrës kundërshtare në prag të finales së madhe të Kupës së Kosovës, është vetëm shpifje nga ana e tyre.

Skuadra jonë asnjëherë nuk ka bërë kurdisje të ndeshjeve dhe kjo gjë është konfirmuar në rezultatet tona.

KFF EP Hajvalia do të përgatis një padi në drejtim të skuadrës për shpifje dhe prishje të imazhit të presidentit të skuadrës sonë, Xhavit Pacolli.

Ky veprim është i ulët nga ana e tyre, sidomos në kohën kur në jemi duke bërë përgatitjet për finalen e madhe që do të zhvillohet të mërkurën.