Statistikat e Smakiqit nga paraqitja monstruoze kundër Plzenit

Florjan Smakiqi ishte protagonist i një paraqitje të jashtëzakonshme kundër Plzenit në Conference League. Futbollikosovar.net ka siguruar statistikat e portierit kosovar në ndeshjen në fjalë.

Falë edhe tij Drita arriti një rezultat të artë në Çeki. Për asnjë moment nuk bëri që të ndihej mungesa e një portieri ikon të skuadrës siç është Maloku, i cili tani e një kohë po vuan nga një lëndim i rëndë.

Smakiqi ishte hero i vërtetë kundër Plzenit gjatë mesjavës që po lëmë pas. Priti gjithçka. Çdo goditje brenda apo jashtë zonës përfundoi duke u devijuar me dorezat e tij.

Në bazë të statistikave të siguruara nga Futbollikosovar.net, rikonfirmohet paraqitja e tij sublime. Ai kishte 81% të pasimeve të sakta. Bëri 7 pritje, prej të cilave 4 ishin me reflekse. Fitoi 3 nga 4 duele në ajër ose përkthyer në përqindje, 75%. Gjithashtu kontribuoi edhe me 4 dalje tjera të suksesshme.

Paraqitje për t’u mbajtur mend për ish-reprezentuesin e Kosovës U21.