Zhegrova i gatshëm për Kosovën, sot u kthye në aksion nga lëndimi: statistikat

Edon Zhegrova sot është rikthyer në fushë kundër Troyes si mysafir pas lëndimit që pësoi në fillim të muajit të shkuar.

Lille u ndal me barazim 1-1 si mysafir kundër Troyes duke siguruar vetëm pjesëmarrjen në Conference League për sezonin e ardhshëm, pasi u rendit në pozitën e 5-të tabelore pas përfundimit të xhiros së fundit.

Megjithatë, ajo që më së shumti i intereson opinionit publik kosovar dhe tifozëve dardanë është rikthimi i Zhegrovës nga lëndimi 13 ditë para se Kosova ta zhvillojë ndeshjen e radhës kualifikuese për Euro 2024 kundër Rumanisë, shkruan Futbollikosovar.net.

Në minutën e 73’ ai u inkuadrua në fushë nga trajneri Fonseca. Për 24-vjeçarin kjo ishte paraqitja e 22-të në Ligue 1 sivjet, ku ka shënuar 3 gola dhe 5 asiste.

Lexo edhe:  Zhegrova u bashkohet ultrasve të Lille në tribuna, ata thërrasin në kor emrin e tij (Video)

Duhet thënë se në takimin e sontëm kundër Troyes ai pati një paraqitje vërtet mbresëlënëse. Impakti i tij ishte tej mase i vlefshëm. Bëri goditje kërcënuese dhe driblime të shumta.

Kështu, ai qëndroi për rreth 24 minuta në fushë, ku pati 32 prekje të topit, me një saktësi të pasimeve prej 100%. Sonte shtoi 3 pasime kyçe, 6 krosime të sakta nga 10 tentativa, 3 driblime të sakta nga 4 dhe 3 duele të fituara nga 5.