Gashi: Malisheva më ka rritur si portier, objektiv mbetet qasja e çdo ndeshjeje me seriozitet

Flamur Gashi është njëri prej pikave kyçe në skuadrën e Malishevës, e cila këtë sezon po vë në pah një sezon mbresëlënës. Në një intervistë për Futbollikosovar.net, ai foli për objektivat e klubit dhe për rendimentin e tij.

Malisheva nuk mund të quhet më befasi e kampionatit. Prej ardhjes së trajnerit Qëndrim Kida, gjithçka ka shkuar në drejtimin e duhur. Njëri prej arkitektëve më meritorë për këtë sukses është padyshim edhe gardiani i portës, Flamur Gashi.

Ai mbetet një pikë referimi për ekipin malishevas, i cili tani dalëngadalë ka filluar të ëndërrojë edhe ngjitjen në pozitat tabelore që sigurojnë një vend në garat evropiane. Megjithatë, ish-përfaqësuesi i Kosovës U21 në një intervistë të realizuar për mediumin tonë, u tregua i kujdesshëm, duke mos shfaqur entuziazëm të tepruar.

Intervista

Cila ishte arsyeja që iu bashkove Malishevës në janar të vitit 2021?

Lexo edhe:  Malisheva gati dhe e motivuar për sfidën ndaj Dukagjinit

Në fillim kur iu bashkova Malishevës ishte vetëm si një formë huazimi nga Ballkani, sepse aty nuk kisha minutazh dhe vendosa që të vazhdoja te Malisheva në Ligën e Parë, meqenëse kishin objektiva dhe një kontingjent të mirë me të cilin hymë në Superligë.

Cilat janë objektivat tua dhe të skuadrës së Malishevës për pjesën e mbetur të sezonit?

Objektivi ynë është i njëjti, ai që t’i qasemi ndeshjeve me seriozitetin më të madh dhe për çdo ndeshje të luajmë për fitore.

Si e vlerësoni sezonin e Malishevës deri më tani?

Sezoni për Malishevën në fillim kishte luhatje, por tani është duke shkuar gjithçka sipas urdhrave të trajnerit.

A është ky sezoni më e mirë deri më tani për ju si portier?

Unë çdo vit mundohem ta rriti veten si portier dhe të bëhem më i pjekur që të arrij përvojën e duhur. Mund të them se klubi i Malishevës goxha shumë më ka rritur si portier duke më besuar portën tre vite radhazi dhe për atë arsye vendosa që të qëndroj në këtë periudhë kohore.

Lexo edhe:  E katërta e vërteta? Bylbyl Sokoli në pritje t’ia bëjë ‘sefte’ fitores me Malishevën në Superligë

Cili është mendimi juaj për ndeshjen çerekfinale ndaj Ballkanit?

Do t’i hyjmë ndeshjes me seriozitetin më të madh dhe do të përqendrohemi tepër shumë për ta kaluar rrethin.

Bashkëlojtari më i mirë me të cilin ke luajtur?

Nuk mund ta ceku vetëm një bashkëlojtar, sepse me të gjithë lojtarët kam raporte shumë të mira.

Cili është premtimi për tifozët e Malishevës?

Tifozëve mund t’u them se si unë, ashtu dhe gjithë bashkëlojtarët e mi, do ta japim maksimumin në çdo ndeshje.