Angazhimi vetëmohues nuk mjafton, Drita eliminohet në frymën e fundit nga Plzen

Drita u eliminua në rrethin e dytë të Conference League kundër Plzen, pasi kjo e fundit shënoi fitore të ngushtë 2-1 “Fadil Vokrri”.

Në një terren të vështirë u zhvillua ndeshja e sontme. Me ndihmën e mijëra shikuesve, Drita ndezi shkëndijat e para në pjesën e parë dhe herëherë u përpoq ta kërcënojë portën kundërshtare.

Sido që të jetë, mbrojtja e hekurt e gjilanasve ra nga ekuilibri nga një goditje standarde në pjesë të dytë. Pas një harkimi të Kalvach, ishte Durosinimi që u la i lirë ta godiste i qetë topin me kokë. Goditja përfundoi në rrjetë.

Drita nuk u dorëzua dhe vijoi të sulmojë. Sulmet e mëdha drejt portës kundërshtare u intensifikuan. Kësisoj, pas një hyrje të mirë që bëri në zonë Ovouka, më së miri u gjend Blerim Krasniqi, i cili në minutën e 90+2′ realizoi golin e barazimit, për ta futur në dëlir një stadium të tërë.

Lexo edhe:  Formacionet zyrtare: Drita - Gjilani

Paraprakisht gjyqtari vetëm se kishte akorduar 18 minuta lojë shtesë, për shkak se në një moment të ndeshjes u ndalën reflektorët në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Gjithsesi, në vazhdime Drita mori zemër, por pas pak minutash gjërat nisën të shkonin kundër saj. Në minutën e 90+19′ ishte Blerim Krasniqi ai që pranoi kartonin e dytë të verdhë, duke u përjashtuar nga loja.

Më pas. në minutën e 90+22′ mysafirët fituan një penallti. Dabiqaj ishte ai që u tregua jo i kujdesshëm duke prekur topin me dorë gjatë një kërcimi me tokë. Më pas nga pika e bardhë i qetë u tregua Jirka, që në minutën e 90+23’ riktheu epërsinë.

Një minutë më vonë Drita me Baftiun goditi portën, por topi përfundoi në korner. Kaq ishte nga ndeshja e sotme. Drita u eliminua me kokën lart, e vetëdijshme që ka bërë një paraqitje të madhe.

Lexo edhe:  Dy lojtarë rikthehen dhe dy të tjerë mungojnë, më të rejat te Drita para ndeshjes kundër Trepçës '89

Ndërkaq Plzen siguroi kalimin në rrethin e tretë kualifikues të Conference League.